- Islami është fe nga i madhi Zot xh.sh.
- Islami, feja që rregullon raportet e njeriut në çdo rrafsh
- Islami, feja që nuk njeh kufij mes njerëzve
- Umeti islam është umeti më i mirë
Falënderojmë Allahun e Madhëruar që Islamin fe të vetme e ka zgjedhur dhe me të zemrat na ka ndriçuar, na ka bërë që këtë fe ta duam dhe parimet e saj të përqafojmë, nga haramet jemi larguar kënaqësinë e Zotit për ta fituar, e në fund të mirat e xhenetit për t’i shijuar.
Pastaj biem salavat mbi Pejgamberin e bekuar, mbi shokët e tij të nderuar dhe të gjithë ata që e kanë pasuar, besnikë deri në vdekje kanë qëndruar, për çka e lusim Allahun me ta me na bashkuar.
Islami është fe nga i madhi Zot xh.sh.
Vëllezër muslimanë!
Nuk ka asnjë dyshim se Islami është feja e të madhit Zot, Ai e ka shpallur dhe zgjedhur atë për njerëzimin.
“Feja e pranueshme tek Allahu është vetëm Islami.” (Ali Imran:19)
Feja e zgjedhur dhe e pranuar tek Allahu është Islami, madje e ka bërë fe të përshtatshme me natyrën e njeriut, siç na ka informuar i madhi Allah duke thënë:
“Përqendro veten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fe), feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Rrum: 30)
Islami është feja në të cilën Allahu i krijoi njerëzit, ua bëri natyrën e tyre të brendshme plotësisht në përputhje me atë fe. Nuk ka diçka në Islam që nuk është plotësisht në përputhje me natyrën e njeriut dhe nuk ka diçka në të që është në kundërshtim me natyrën e njeriut.
E si të mos jetë kështu kur Allahu e krijoi njeriun dhe ia zgjodhi këtë fe?
Islami, feja që rregullon raportet e njeriut në çdo rrafsh
Kjo fe ka përfshirë çdo gjë që i duhet njeriut. Ia ka sqaruar raportet me Krijuesin, Allahun e Madhëruar, pastaj raportet me veten e tij dhe me mbarë njerëzimin, bile me tërë krijesat e këtij globi. Ky Islam nuk ka lënë gjë pa cekur e pa përfshirë, siç ka thënë Allahu i Madhëruar:
“Asgjë nuk kemi lënë pas dore nga evidenca.” (Enam:38)
Ky libër jo vetëm që përfshin çdo gjë, por edhe sqaron çdo gjë, siç ka thënë edhe më qartë Allahu në ajetin tjetër:
“Ne ty ta shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.” (Nahl: 89)
Nuk ka diçka që i duhet njeriut e që nuk sqarohet në Islam.
Islami përfshin çështjet e besimit, apo të akides, besimin në Zotin xh.sh., librat e shenjtë të Tij, besimin në melekët e Tij, besimin në Pejgamberët e Tij, besimi në Ditën e Gjykimit dhe besimin në kada e kader, në caktim të Allahut, se gjithçka që vjen nga i madhi Zot mirë se të vijë.
Islami përfshin çështjet e adhurimit, apo të ibadeteve, duke filluar nga namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi.
Islami sqaron çdo farz apo obligim që ka muslimani ndaj të tjerëve, ashtu siç sqaron çdo haram apo ndalesë në raport me veten apo me të tjerët dhe me Allahun e Madhëruar.
Islami thërret në vlerat më të larta të moralit dhe të etikës, si: sinqeritet, drejtësi, bujari, besnikëri, solidaritet, ruajtje e lidhjes farefisnore, përkujdes ndaj të varfërve dhe shtresave të ulëta.
Islami përfshin ekonominë, biznesin, politikën, marrëdhëniet ndërkombëtare, paqen dhe luftën… përfshin çdo gjë që ka të bëjë me njeriun dhe jetën e tij, nga djepi deri në varr.
Islami, feja e cila nuk njeh kufi mes njerëzve
Allahu ka dashur që kjo fe të mos bëjë dallime mes njerëzve, mes racave, mes gjuhëve, shtresave dhe ndasive të tjera me të cilat shumë herë identifikohen njerëzit, por është fe që i përfshin të gjithë, i bashkon të gjithë. Allahu xh.sh. thotë:
“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (Huxhurat: 13)
Nuk ju dalluam që të lavdëroheni me përkatësinë tuaj kombëtare e racore, por që të njiheni mes jush, të shkëmbeni vlera mes jush, të përhapni vlera dhe të përfitoni nga njëri-tjetri. Të gjithë jeni të barabartë, të gjithë jeni një, dallimi është vetëm me devotshmëri dhe sinqeritet, me vlerat dhe virtytet me të cilat pajiseni.
Po të mos ishte kjo specifikë e Islamit, ai kurrë nuk do të arrinte të përhapej aq shpejt dhe të përfshinte një pjesë të madhe të botës për një kohë shumë të shkurtër, ashtu siç nuk do arrinte të ekzistonte deri tani.
Gjithëpërfshirja e kësaj feje, mosdallimi dhe mosdiskriminimi i të tjerëve e ngriti shumë lart këtë fe, e bëri aq të veçantë. Pejgamberi Muhamed alejhi selam këtë mision kishte:
“Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Sebe: 28)Nuk të dërguam ty o Muhamed vetëm për arabët apo për bashkëkohësit e tu, por për mbarë njerëzimin, për të gjitha kohët dhe të gjitha vendet, për të gjitha gjeneratat deri në kiamet. La ilahe il-lAllah, i dërguar jo vetëm tek njerëzit, porse edhe tek xhinët, mëshirë jo vetëm për njerëzit, por edhe për xhinët, bile për të gjitha krijesat.
Umeti islam është umeti më i mirë
Vëllezër muslimanë, o umet islam, ju jeni më të mirët, jeni ata që ju ka zgjedhur Zoti xh.sh. ndër të gjitha umetet dhe shoqëritë e mëhershme. Jeni ata që keni besuar Zotin hak, jeni pajisur me vlera të mëdha të kësaj feje të madhe. Për ju dhe për ata që janë si ju Allahu xh.sh. thotë:
“Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në Allahun.” (Ali Imran: 110)
Ju jeni më të mirët për faktin se besoni Zotin hak, pastaj urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga të këqijat. Pa këto tipare dhe veti ne nuk mund ta fitojmë këtë epitet, këtë gradë. Të nderuar, duhet të jemi vërtet muslimanë të mirë e të sinqertë, të vyeshëm e të dobishëm, në veçanti kur e dimë se ky Islam është fe gjithëpërfshirëse dhe se pa të nuk ka lumturi të vërtetë, nuk ka xhenet. E kemi amanet dhe përgjegjësi të madhe që këtë fe ta ruajmë dhe të jemi shumë të kujdesshëm që t’ua përcjellim të tjerëve, që edhe ata ta shijojnë dritën e saj. Për ta arritur atë duhet të jemi të urtë, të mençur, të kujdesshëm e durimtarë. Allahu na bëftë të atillë, Allahu na ruajt këtë din dhe na bëftë të jemi të mirë, të jemi shembull për të tjerët, të jemi shkak që ta pranojnë këtë fe dhe të arrijnë një fitore të madhe.
Allahume amin, velhamdulilahi rab-bilalemin!
Prishtinë, 2015