Ëmbëlsia e imanit

  • Çfarë muslimanësh jemi?
  • Domethënia e ëmbëlsisë së imanit
  • Dashuria ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij
  • Dashuria ndaj vëllait musliman
  • Muslimani i mirë për asnjë çmim nuk e lë fenë
  • Shembull se si shijohet ëmbëlsia e imanit

Falënderojmë Allahun e Madhëruar që e ka bërë këtë Islam më të ëmbël se mjalti dhe më të shtrenjtë se çdo gjë tjetër. Pastaj biem salavat dhe i çojmë shumë selam atij të bekuari Muhamedit [sal-Allahu alejhi ve sel-lem] , zotërisë së të parëve dhe të fundit, i cili vërtet e shijoi ëmbëlsinë e këtij Islami të madh dhe na informoi se Islami ka një ëmbëlsi të vërtetë, se imani është diçka që ia ëmbëlson njeriut zemrën, ia ushqen dhe freskon shpirtin, ia lumturon jetën, pastaj na mësoi edhe ne se si ta arrijmë atë gradë të lartë të imanit, të devotshmërisë.

Çfarë muslimanësh jemi?

Vëllezër të nderuar! Shumë njerëz e besojnë Allahun, deklarojnë se janë muslimanë, madje sot ka muslimanë më shumë se kurdoherë më parë. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] na ka treguar se do të jemi shumë, por çfarë jemi, sa e duam  Allahun xh.sh., sa e duam Pejgamberin alejhi selam? Sa e duam njëri-tjetrin për hir të Allahut, pa interes të dynjasë? Sa e duam këtë din, këtë fe? Çfarë jemi në gjendje të bëjmë për të? Sa e ndiejmë kënaqësinë e kësaj feje, ëmbëlsinë e këtij dini të Allahut? Vëllezër muslimanë, këto pyetje janë tepër të rëndësishme që t’ia parashtrojmë vetes sepse është e lehtë të themi jemi muslimanë, por çfarë muslimanësh?!

Domethënia e ëmbëlsisë së imanit

Shumë muslimanë i kryejnë obligimet fetare, u largohen harameve, por jo të gjithë e bëjnë me kënaqësi të plotë. Disa prej tyre i bëjnë ato me shumë mund, madje disa edhe duke ia imponuar apo duke e shtyrë veten. Jo rrallëherë dëgjojmë dikë duke thënë “sikur mos të kishte qenë obligim, kurrë nuk do ta kisha bërë”. Mirëpo ka muslimanë të cilët jo vetëm që i zbatojnë ato urdhra të Allahut dhe të Pejgamberit të Tij, jo vetëm që u largohen e shmangen ndalesave, por i bëjnë me shumë kënaqësi dhe me krenari. Ne këtë kemi për qëllim, kryerjen e farzeve dhe të suneteve me plot kënaqësi, në atë mënyrë që të ndiesh prehje shpirtërore dhe kënaqësi thellë në zemër. Pejgamberi alejhi selam na tregon një hadith se kur muslimani mund ta ndiejë ëmbëlsinë e imanit, lezetin e prehjen shpirtërore. Enes bin Maliku transmeton se Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

عَنْ أَنَسِ عَنِ النَّبِيِّ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ ثَلَاثٌ مَنْ كُنَّ فِيهِ وَجَدَ حَلَاوَةَ الْإِيمَانِ أَنْ يَكُونَ اللهُ وَرَسُولُهُ أَحَبَّ إِلَيْهِ مِمَّا سِوَاهُمَا وَأَنْ يُحِبَّ الْمَرْءَ لَا يُحِبُّهُ إِلَّا لِلهِ وَأَنْ يَكْرَهَ أَنْ يَعُودَ فِي الْكُفْرِ كَمَا يَكْرَهُ أَنْ يُقْذَفَ فِي النَّارِ

Tri gjëra kush i ka, ai do ta gjejë (shijojë) ëmbëlsinë e imanit: Allahu dhe Pejgamberi i Tij të jenë më të dashur për të se çdo gjë tjetër pos tyre, ta dojë tjetrin vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë të kthehet në kufër ashtu siç urren të hidhet në zjarr.[1]

Ulemaja në kuptim të kësaj ëmbëlsie të përmendur në hadith kanë thënë se ëmbëlsia e imanit është kur njeriu kënaqet, kur ndien kënaqësi duke i kryer obligimet e tij, kur i përballon vështirësitë e ndryshme për ta kënaqur Allahun xh.sh. dhe duke u dhënë këtyre përparësi ndaj kënaqësive të dynjasë dhe egos së tij. Me fjalë të tjera, të kënaqet duke adhuruar Allahun, duke respektuar Resulullahun alejhi selam, t’i kryejë farzet pa përtesë dhe me kënaqësinë më të madhe të mundshme, t’u largohet harameve e të bëjë durim ndaj vështirësive të ndryshme me kënaqësinë dhe vullnetin më të madh.


[1] Buhariu, nr. 16; Muslimi, nr. (43)-67.

Dashuria ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij

Të gjithë muslimanët pretendojnë se e duan Allahun dhe Pejgamberin e Tij, madje shumë prej tyre shprehen se i duan shumë, më shumë se çdokënd tjetër, por kur i sheh në praktikë, krejt punën e tyre apo shumë punë të tyre i bëjnë kundër Allahut dhe kundër të Dërguarit të Tij. Ata nuk falen, nuk agjërojnë, nuk japin zekat, nuk kryejnë shumë farze apo disa i kryejnë e disa jo. Ata bëjnë shumë harame ose i japin përparësi dynjasë më shumë sesa dashurisë për  Allahun dhe Pejgamberin alejhi selam. Shumë prej tyre nuk jetojnë për Allahun dhe me fjalën “La ilahe il-lAllah”¸ por jetojnë për dynjanë, për gruan e për fëmijët, për pasuri e të mira të tjera të dynjasë. Fenë ata e kanë lënë të fundit, madje disa thonë se kemi shumë punë dhe nuk kemi kohë të falemi. Personat e tillë kurrë nuk mund ta shijojnë ëmbëlsinë e imanit, përkundrazi, shumë herë mund t’i gjesh të luhatshëm në iman, për të mos thënë se disa prej tyre ndoshta thonë pse kështu kjo fe, pse kjo është farz dhe kjo gjë haram, pse kjo urdhëresë e kjo ndalesë?! Ata nuk janë të kënaqur me dispozitat e fesë apo në një farë mënyre i kundërshtojnë ato, Allahu na ruajt. Realiteti është se muslimani nuk bën ta dojë dikë më shumë sesa Allahun dhe Pejgamberin e Tij sepse nuk ka vend dhe hapësirë që muslimani ta dojë dikë më shumë se Allahun dhe Pejgamberin alejhi selam.

Dashuria ndaj vëllait musliman

Njerëzit e duan njëri-tjetrin, por varet përse duhen, për interesa të dynjasë dhe kaq apo dashuria mes tyre është për hir të Allahut xh.sh.?

Të nderuar vëllezër! Është e pavend që muslimani ta dojë vëllanë e vet vetëm për interesa të dynjasë, sa të vazhdojë interesi i dynjasë vazhdon vëllazëria dhe shoqëria, por me momentin që ndërpritet interesi i dynjasë, shkëputet e prishet vëllazëria. Deri tani ishin miq e tashmë janë bërë armiq, një gjë e tillë nuk ka vend në Islam. Të atillët janë muslimanë pa Islam, pa praktikim të mirëfilltë të Islamit. Muslimani e do dikë për Allahun xh.sh. dhe urren dikë për Allahun xh.sh.. E do kur e sheh në punë të mira dhe e urren kur e sheh në haram, në punë të këqija, e urren për atë haram që ka bërë. Është e vërtetë se interesi i dynjasë është i pranishëm dhe se Zoti ka dashur e na ka lidhur mes nesh, secili ka nevojë dhe interes te tjetri dhe se interesi i dynjasë është faktor mjaft me rëndësi në dashurinë dhe urrejtjen e njëri-tjetrit, por ajo që kemi ne për qëllim këtu është që interesi apo dashuria për interes të dynjasë të mos jetë parësore, por parësore të jetë dashuria për Allah, për hir të Tij, ndërsa ajo e dynjasë vjen më pas. Ne e duam dikë për Allah, patëm apo nuk patëm interes të dynjasë. E nëse i kemi të dyja bashkë, s’ka dert, vetëm se dashuria për Allah prapë mbetet e para dhe kryesorja.

Muslimani i mirë për asnjë çmim nuk e lë fenë

Muslimani hyn në fe dhe më pas fjala “La ilahe il-lAllah” përfshin zemrën e tij dhe ai sheh se ç’është ky Islam, i cili ia ndryshon jetën njeriut për 180 shkallë. Nuk ka fuqi që mund të ndikojë që ai të kthehet ku ka qenë më herët para se të futet në Islam, nuk ka çmim që mund ta mashtrojë atë e ta lërë fenë e Allahut të Madhëruar edhe nëse i rrezikohet jeta e tij, edhe nëse qëndrueshmëria e tij në fe i kushton me jetë. Ai e urren të dalë prej këtij dini ashtu siç e urren të hidhet në zjarr, madje më lehtë pranon të hidhet në zjarr sesa të dalë prej dini. Të të hedhin në zjarr për Allahun shkon në xhenet, ndërsa të dalësh prej dini shkon në xhehenem. Zjarri i dynjasë apo çfarëdo dënimi tjetër i kësaj dynjaje përfundon sepse njeriu vdes nga torturat dhe pushon, kurse zjarri i ahiretit, i xhehenemit, nuk ndalet, nuk mbaron.

Shembull se si shijohet ëmbëlsia e imanit

Historia na tregon se ka pasur burra, ka pasur muslimanë të cilët kanë pranuar të hidhen në zjarr, por prej dinit nuk kanë pranuar të dalin kurrë. Të gjithë muslimanët e njohin Ibrahimin alejhi selam, atë Pejgamber të bekuar dhe sprovën e tij të madhe me mbretin e asaj kohe, Nemrudin, se si vendosën ta hedhin në zjarr Ibrahimin alejhi selam sepse ai refuzoi të kthehet në fenë e tyre pagane. Ibrahimi alejhi selam pranoi edhe të digjet, por jo të dalë nga feja. Allahu xh.sh. thotë: “Atëherë ata thanë: “Digjeni atë (Ibrahimin) dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni t’u ndihmoni!” Po Ne i thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” (Enbija: 68-69)

Ata deshën ta djegin, porse Allahu nuk deshi.

Shembuj të tillë kemi edhe pas Ibrahimit alejhi selam, si për shembull rasti i Abdullah bin Hudhafes, ai sahab i Pejgamberit të bekuar, i cili ishte edukuar në medresenë e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], në derën e së cilës shkruhet “La ilahe il-lAllah Muhameden resulullah”. Allahu deshi ta sprovojë dhe në të njëjtën kohë ta bëjë shembull për gjeneratën e tij dhe të gjithë ata muslimanë që vijnë më pas se si duhet qëndruar në fe. E bëri shembull se çfarë çudirash bën imani i muslimanit, e bëri shembull për një musliman të vërtetë i cili vërtet ka ndier në shpirtin e tij ëmbëlsinë e imanit dhe se ai për asnjë çmim nuk pranon të dalë nga feja, qoftë edhe me çmimin e sakrifikimit të jetës. Ky shembull na tregon në praktikë pjesën e fundit të hadithit të lartpërmendur, urrejtjen për të dalë prej feje ashtu siç urren hedhjen në zjarr. Le ta dëgjojmë të nderuar këtë tregim shkurtimisht, ndoshta Allahu na bën të përfitojmë prej këtij shembulli e të marrim mësim.

Pasi u formua shteti islam, muslimanët filluan ta përhapin dritën e Allahut edhe jashtë Gadishullit Arabik, në mënyrë që t’i nxjerrin njerëzit nga errësirat e dynjasë në dritën e Islamit dhe që ta përhapin këtë dritë gjithandej nëpër botë. Më konkretisht, në vitin 19 hixhri, Umeri dërgoi një ushtri të madhe kundër Perandorisë Romake. Me të dëgjuar për këtë ushtri, mbreti romak u shqetësua shumë dhe kërkoi nga luftëtarët e tij të bëjnë çmos që të kapin dikë nga luftëtarët muslimanë e t’ia sjellin në pallat. Deshi Zoti dhe ushtarët e tij kapën një rob nga mesi i muslimanëve dhe ia sollën para mbretit. Ai rob ishte Abdullah bin Hudhafe, shok i Pejgamberit alejhi selam. Mbreti romak po e vëzhgon këtë rob që ka para vetes, po mendohet gjatë duke e vështruar nga koka deri te këmbët dhe më pas me qetësi po i thotë: -Po të bëj një ofertë për ty dhe në interes tëndin. Konvertohu në të krishterë dhe do të të lë të lirë, bile do të të nderoj. Abdullahu, zemra e të cilit ishte e mbushur me fjalën “La ilahe il-lAllah”, iu përgjigj menjëherë dhe pa hezitim: -Larg qoftë të ndërroj fenë time dhe të kaloj në Krishterim. Më lehtë pranoj vdekjen një mijë herë sesa t’i përgjigjem ofertës tënde! Po, vëllezër muslimanë, vdekja faqe e bardhë. Njeriu patjetër një ditë ka për të vdekur, ndaj të vdesë faqe bardhë si musliman qoftë edhe një mijë herë është më e lehtë sesa ta ndërrojë fenë e tij, Allahu na ruajt. Mbreti romak u çudit nga kjo përgjigje kaq e shpejtë dhe e vendosur. Ai vërejti se para vetes ka një njeri aq të thjeshtë, por jashtëzakonisht të vendosur dhe të çuditshëm. Me dinakërinë dhe mençurinë e tij, e ndërroi metodën e ofertës dhe po i thotë: -Unë tek ti po shoh veti shumë të mira. Ti vërtet qenke një njeri i mençur, një burrë i madh. Pranoje ofertën time dhe si shpërblim do të të jap gjysmën e pushtetit, do të të bëj ortak në pushtetin tim, në mbretërinë time, madje po të martoj edhe me bijën time.

Nuk janë oferta të vogla, pushteti është sprovë e madhe. Njerëzit vriten e mbyten, bëjnë çmos vetëm e vetëm për të marrë sadopak pushtet, ndërsa Abdullahut po i vjen pushteti i gatshëm. Martesa me bijën e mbretit do të thotë se pas vdekjes së mbretit atij i kalon pushteti i plotë. Kjo ofertë mbi të gjitha i shpëton jetën atij. A thua si u përgjigj ai burrë i madh, i cili nuk ka as opinga për të mbathur, i lidhur me zinxhirë, që vdekja po i afrohet? Ai i tha: -Vallahi, jo vetëm gjysmën e pushtetin tënd, por sikur të ma japësh tërë pushtetin tënd dhe atë që posedojnë arabët dhe jo arabët, nuk do pranoja për asnjë moment ta ndërroj dinin tim, të dal nga Islami!

Kësaj radhe mbreti me të dëgjuar këtë përgjigje u hidhërua shumë, kuptoi se ky musliman nuk lëkundet lehtë, ndaj u ngrit në këmbë dhe me zë të lartë duke e kërcënuar i tha: -Atëherë pra, të vras! Natyrisht që ushtarët mezi pritnin ndonjë sinjal nga mbreti dhe Abdullahut i shkoi koka. Abdullahu i qetë i përgjigjet: -Vepro ç’të duash! Allahu është më i madhi! Vëllezër muslimanë, ja se çfarë bën imani, ja se çfarë përgjigjeje jep muslimani i vërtetë, i cili e di mirë se vdekja është në dorën e Zotit dhe se vdekja për Allah është një milion herë më e mirë sesa ajo për diçka tjetër, qoftë ajo vdekje edhe me vrasje. Vdekja është një, pavarësisht se si vdes njeriu, siç ka thënë një poet arab:

Shkaqet e vdekjes janë shtuar

por vdekja si vdekje është një. Mbreti i urdhëroi ushtarët e tij ta lidhin dhe u tha atyre: -Gjuajeni me shtizë afër tij, por mos e qëlloni në trup, duke u munduar ta frikësojnë, por në të njëjtën kohë e fton të konvertohet. Abdullahu nuk lëviz nga qëndrimi i tij, jo dhe jo, nuk do ta ndërrojë fenë e tij. Mbreti i hidhëruar edhe më shumë urdhëron që të sillet një kazan i mbushur me vaj dhe të ndizet nën të një zjarr. Pas një kohe vaji filloi të vlojë. Më pas urdhëroi të sillet një nga robërit muslimanë dhe para syve të Abdullahut e hedhin në atë enë të mbushur me vaj dhe për një kohë të shkurtër shkrihet i tërë mishi dhe mbetën vetëm eshtrat e tij. Pamje e frikshme, nuk e ka të lehtë Abdullahu, i cili po mendon se është radha e tij. Mbreti vazhdon t’ia paraqesë atë ofertë: Konvertohu në Krishterim ose të gjen ajo që e gjeti atë para teje! Abdullahu vazhdon të qëndrojë i pathyeshëm, prandaj mbreti u thotë ushtarëve të tij: -Hidheni nga lart në atë enë të mbushur me vaj. Ushtarët e kapin Abdullahun dhe duan ta hedhin, mirëpo njëri nga ushtarët vërejti se një lot i doli Abdullahut dhe menjëherë e informon mbretin se robi po qan. Mbreti u tha të ndalen dhe të mos e hedhin. Iu afrua Abdullahut dhe duke menduar se ai u pendua dhe se po frikësohet nga vdekja, i gëzuar po i thotë: -Konvertohu! Abdullahu nuk po i përgjigjet, por vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim. I çuditur mbreti i thotë: -E pse qave pra? Abdullahu po i përgjigjet: -Qava kur pashë se po vdes dhe thashë me vete: Kam vetëm një shpirt dhe paska ardhur koha për ta dhënë atë. Kam shumë dëshirë që të kem shpirtra aq sa kam qime në trupin tim dhe për çdo shpirt të hidhem në këtë enë të madhe e ta jap atë për hir të Allahut.

Allahu është më i madhi! Vëllezër muslimanë, nuk po  i dhimbset jeta për hir të Allahut xh.sh., por po i vjen keq që ka vetëm një shpirt, që nuk po mundet të bëjë më shumë për Allah!

Çuditemi edhe ne ashtu siç u çudit mbreti, i cili e pa dhe u bind se Abdullahu nuk frikësohet as nga hedhja në vaj të vluar. Nuk ka çmim që e bën atë ta ndërrojë fenë, ta lërë Islamin pasi ka përfshirë tërë trupin dhe shpirtin e tij, qoftë edhe hedhja në vaj të vluar.

Mbreti e ndërroi tërësisht metodën dhe i thotë: -A po ma puth kokën time dhe të të liroj? Abdullahu i tha: -Po, nëse më liron mua dhe të gjithë robërit muslimanë që janë peng te ti. Mbreti tha: -Po. Atëherë Abdullahu u ngrit, ia puthi kokën atij dhe mbreti e mbajti fjalën, e liroi Abdullahun dhe bashkë me të tërë robërit muslimanë. Abdullahu krenar me këtë din që mban në gjoksin e tij, bashkë me shokët e liruar nga burgjet e romakëve, po niset drejt Medinës së Ndriçuar, kryeqendrës së shtetit islam të asaj kohe. Umeri kishte dëgjuar për qëndrimin e Abdullahut dhe me shumë shokë të tij doli vetë për t’i pritur ata burra të mëdhenj dhe për t’i përgëzuar për qëndrimin e tyre. Posa u takuan, Umeri u tha të pranishmëve: -O ju njerëz, të gjithë ju e keni obligim t’ia puthni kokën Abdullahut, për punën e bërë. Unë jam i pari që ia puth atij kokën. Pastaj iu afrua Abdullahut dhe ia puthi kokën i pari dhe pas tij shokët e tjerë.

Allahu ekber!

Ky është Abdullahu, ky është qëndrimi i një njeriu që kishte shijuar ëmbëlsinë e imanit.

Ky është një nga shembujt e shumtë të atyre burrave dhe grave që lanë gjurmë të pashlyera në histori me qëndrimet e tyre gjatë gjeneratave dhe periudhave të ndryshme deri në kohën tonë, tek prindërit dhe gjyshërit tanë, të cilët u vranë dhe u masakruan nga çetnikët serbë dhe malazezë, por kurrë nuk pranuan ta ndërrojnë fenë e tyre. Allahu qoftë i kënaqur me ta dhe me ne! Allahu na forcoftë imanin në zemrat tona dhe na bëftë nga ata që e shijojnë ëmbëlsinë e imanit në atë shkallë saqë më pas nuk ndiejnë lodhje e as mundim në çfarëdo pune apo vepre që bëjnë për hir të Allahut të Madhëruar. Allahu na bashkoftë me ata burra të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të pashlyera në histori dhe u kanë dhënë shembullin më të mirë mbarë njerëzimit se si duhet të jetohet me këtë Islam, se çfarë çudirash krijon Islami. Amin velhamdulilahi rabbilalemin!

Previous Article

RËNDËSIA E TEVHIDIT