- Tevhidi është shtylla kryesore e Islamit
- Tevhidi është detyra kryesore që duhet të mësojë muslimani
- Për tevhidin Zoti ka krijuar krijesat e Tij
- Tevhidi është kusht për pranimin e çdo vepre të mirë
- Për tehvidin janë dërguar Pejgamberët
- Për tehvidin kanë zbritur librat e shenjtë
- Implementimi i tehvidit është shkak sigurie
- Tehvidi është kusht për të hyrë në xhenet
- Për tevhidin pyetet njeriu në varr
Falënderojmë Allahun e Madhëruar që me Lartmadhërinë e Tij na ka njoftuar, Pejgamber ka dërguar dhe që ata na kanë mësuar se si Zoti ynë duhet njohur e pastaj adhuruar. Pastaj biem salavat dhe selam, mbi Muhamed Mustafanë e bekuar, shokët e tij të nderuar dhe mbi të gjithë ata që rugën e tyre kanë pasuar. Kush lexon ajetet kur’anore dhe hadithet e Muhamedit alejhi selam, pastaj i analizon ato, e kupton qartë rëndësinë e madhe që ka tevhidi apo njohja e Zotit një. Sado që flasim për të, prapë nuk e shterojmë dot sepse s’ka diçka më të rëndësishme, më të vlefshme dhe më vendimtare për jetën e njeriut në këtë dhe në botën tjetër. Ne do të cekim disa pika kryesore, disa parime kryesore që sqarojnë rëndësinë e madhe që ka tevhidi, veçimi i Allahut të Madhëruar me adhurim, për t’ia kujtuar vetes dhe muslimanëve.
Tevhidi është shtylla kryesore e Islamit
Tehvidi, njëshmëria e Zotit, apo shehadeti, është dëshmia me zemër, me gojë dhe me vepra se Zoti është një, i pafillim dhe i pa mbarim, nuk ka Zot tjetër pos Tij, vetëm Ai është furnizues, në dorën e Tij është jeta dhe vdekja jonë, lumturia dhe mjerimi ynë, Ai nuk ka ortak dhe rival, nuk ka grua e as fëmijë. Tevhidi është kuptimi i fjalës “La ilahe il-lAllah”. Këtu hyn edhe adhurimi i Tij dhe i askujt tjetër pos Tij, se Ai ka emra dhe cilësi të përkryera dhe çdo gjë tek Ai është e përkryer. Ky tevhid është shtylla kryesore, parimi kryesor me të cilin njeriu hyn në Islam. Pa këtë parim apo pa e çuar në vend këtë parim dhe pa e pasur të shëndoshë, nuk mund të konsiderohet individi musliman. Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
“Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia (shehadeti) se nuk ka zot tjetër pos Allahut dhe se Muhamedi është Pejgamber i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i muajit Ramazan.”[1]
Çdo musliman e di se pa i plotësuar këto pesë shtylla njeriu nuk mund të hyjë në Islam ose të konsiderohet musliman. E para dhe kryesorja është shehadeti, dëshmia, që është tevhidi i Zotit xh.sh..
Tevhidi është detyra kryesore që duhet të mësojë muslimani
Njeriu duhet të interesohet dhe ta dijë se cila është detyra e parë e tij, çfarë duhet të dijë muslimani, çfarë duhet të mësojë para çdo gjëje tjetër, bile edhe para abetares. Cila është detyra apo obligimi i parë që duhet t’ua mësosh të tjerëve, duke filluar nga fëmijët e tu e deri tek ata që i thërret në fe? Cila është detyra më e rëndësishme e njeriut në jetën e tij? Ajo është tehvidi, shehadeti. Pejgamberi alejhi selam kur e ka dërguar shokun e tij Muadh bin Xhebelin në Jemen si misionar dhe thirrës në rrugën e Allahut, i ka thënë:
[1] Buhariu nr. 8; Muslimi, nr. (16)-21.
“Ti o Muadh je duke shkuar te një popull të cilët janë ithtarë të librave të shenjtë (të krishterë), ndaj gjëja e parë në të cilën do t’i ftosh le të jetë tevhidi i Allahut të Madhëruar (në shehadet). E nëse ata e bëjnë një gjë të tillë, atëherë informoji ata se Allahu ua ka bërë farz pesë kohë namaz brenda ditës dhe natës. E nëse ata e bëjnë një gjë të tillë, atëherë informoji ata se Allahu ua ka bërë zekatin farz në pasurinë e tyre…”[1]
Pra, fillo me shehadetin, me tehvidin, me të kuptuarit se Zoti është një, se nuk ka tjetër pos Tij dhe se vetëm Ai duhet adhuruar e madhëruar, se Ai nuk ka shok e as rival.
Këtë parim ne ua mësojmë fëmijëve tanë qysh në vegjëli, posa të mësojnë të flasin, para se t’u mësojmë ndonjë gjë tjetër.
Për tevhidin Zoti ka krijuar krijesat e Tij
Si të mos jetë tevhidi gjëja e parë që u mësojmë të tjerëve, si të mos jetë detyra kryesore dhe parësore pa të cilën nuk ka vlerë asnjë mësim tjetër, kur për këtë parim janë krijuar toka dhe qiejt, janë krijuar të gjitha krijesat? Për të janë krijuar njerëzit dhe xhinët, për të janë dërguar mijëra Pejgamberë, janë shpallur librat e shenjtë. Allahu xh.sh. thotë:
[1] Buhariu, nr. 7372; Muslimi, nr. (19)-29 .
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijat: 56)
Unë i krijova ata për tevhidin, për veçimin e Allahut me adhurim, për njëshmërinë e Tij.
Tevhidi është kusht për pranimin e çdo vepre të mirë
Si të mos jetë tevhidi gjëja më e rëndësishme në jetën e njeriut, kur pa të nuk pranohet asnjë vepër tjetër, sado e mirë qoftë? Pa të, pa shehadetin, njeriu nuk mund të jetë musliman. Pa shehadet, pa tevhidin e Zotit xh.sh. nuk pranohet asnjë vepër, sado e mirë qoftë ajo. Për t’u pranuar vepra e mirë te Zoti duhen plotësuar dy kushte: të kesh tevhidin e shëndoshë dhe të pasosh Muhamedin alejhi selam. Të dy kushtet i ka cekur Allahu xh.sh. në suren Kehf:
“Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askënd.” (Kehf: 110)
Vepra e mirë është ajo që ka vepruar Pejgamberi alejhi selam apo na ka mësuar e këshilluar që ta punojmë. Mospërzierja e askujt në adhurimin e Zotit do të thotë që Atij mos t’i bëhet shirk, mos t’i bëhet rival.
Nëse ky tehvid nuk është i saktë, veprat e mira nuk do t’i pranohen kurrë njeriut. Këtë e ka thënë i madhi Allah shumë herë në Kur’an, si në ajetin:
“E Ne do t’u qasemi veprave që i kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.” (Furkan: 23)
Ne do ua paraqesim veprat jomuslimanëve në Ditën e Kiametit, atyre që nuk e kanë pasur bazën e tehvidit, por nuk do kenë peshë, do bëhen pluhur e hi, do asgjësohen sepse ata nuk kanë qenë muslimanë, nuk e kanë pasur shehadetin, tehvidin.
Për tehvidin janë dërguar Pejgamberët Si të mos jetë tevhidi gjëja më e çmuar kur për të janë dërguar mijëra Pejgamberë?Ata u dërguan vetëm për tevhidin, për fjalën “La ilahe il-lAllah”, që njerëzit të adhurojnë vetëm një Zot, Atij t’i nënshtrohen, t’i luten, tek Ai të drejtohen dhe nga Ai ndihmë e mëshirë të kërkojnë, por shok, rival e ortak mos t’i bëjnë. Allahu i Madhëruar thotë:
“Ne nuk dërguam asnjë të Dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!” (Enbija: 25)
Ky ishte slogani i të gjithë Pejgamberëve, “La ilahe il-lAllah”, që është tevhidi. Të gjithë ata kanë thirrur në këtë parim, në besimin në një Zot, në Islam, në adhurimin e Zotit dhe të askujt tjetër pos Tij.
Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu: “Ne dërguam në çdo popull të Dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” (Nahl: 36)
Thoni la ilahe il-lAllah dhe largojuni adhurimeve të kota, mos i pasoni djajtë e mallkuar, mos i bëni Zotit shok e rival, largojuni çdo adhurimi pos Zotit xh.sh., krijuesit të gjithësisë.
Për tehvidin kanë zbritur librat e shenjtë Ashtu siç janë dërguar Pejgamberët për tevhidin, për fjalën “La ilahe il-lAllah”, edhe librat e shenjtë janë shpallur për këtë fjalë, për këtë tevhid. Në të gjithë librat e shpallur parimi kryesor ka qenë tevhidi, mosadhurimi i askujt tjetër përveç Zotit xh.sh..
“Elif, Lam, Ra, (ky është) libër, ajetet e të cilit janë radhitur (në mënyrë të përsosur, njëkohësisht) edhe shkoqitur nga i Dijshmi i të gjitha çështjeve në hollësi. Që të mos adhuroni tjetër përveç Allahut. Unë jam (dërguar) nga Ai, qortues e përgëzues për ju.” (Hud:1-2)
Kur’ani është libri që bën thirrje të mos adhurohet tjetërkush pos Zotit xh.sh., e ky është tevhidi. I njëjti parim ndodhet tek të gjithë librat qiellorë, edhe pse pasuesit e atyre librave më vonë kanë bërë devijime, duke shtuar e hequr shumë gjëra. Një gjë është e sigurt, se të gjithë librat e shenjtë kanë pasur këtë qëllim: adhurimin e Zotit të vetëm dhe largimin nga çdo besim dhe bindje tjetër fetare.
Implementimi i tehvidit është shkak sigurie Ithtarët e tevhidit, ata që implementojnë domethënien dhe kuptimin e fjalës “La ilahe il-lAllah”, janë njerëz të qetë, të sigurt, të dobishëm e frytdhënës. Për ta ka qetësi e lumturi në këtë dhe në botën tjetër dhe këtë e vërtetojnë shumë ajete, ndër to:
“Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë.” (Enam: 82)
Ata do të jenë të qetë, të sigurt, nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e Allahut xh.sh., ata do t’i përfshijë mëshira dhe rahmeti i Allahut xh.sh..
A ka të keqe që nuk vjen si rezultat i refuzimit të këtij tevhidi apo largimit të individit nga ky tevhid, qoftë edhe pjesërisht? Të ligat që vijnë nga muslimanët janë rezultat i mosimplementimit të denjë të tehvidit, rezultat i besimit të dobët dhe i mëkateve të tyre.
Tehvidi është kusht për të hyrë në xhenet
Nuk ka dyshim se kush e ka këtë tevhid, kush e ka në zemrën e tij fjalën “La ilahe il-lAllah Muhamed resulullah”, ka për të hyrë në xhenet, çfarëdo pune të ketë bërë. Ai mund të dënohet në botën tjetër sa të dojë Allahu, por dikur prapëseprapë ka për t’u futur në xhenet për hatër të tehvidit. Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
“Kush dëshmon se nuk ka zot tjetër pos Allahut, se Ai është një, nuk ka rival dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij dhe se Isai është rob dhe i Dërguar i Tij dhe Ai fjalën e Tij (“bëhu”) e lëshoi tek Merjemja nëpërmjet shpirtit (Xhibrilit) dhe se xheneti është hak e xhehenemi është hak, atë Allahu ka për ta futur në xhenet pavarësisht veprave që ka bërë.”[1]
Allahu është më i madhi! Kush dëshmon shehadetin, “La ilahe il-lAllah Muhamed resulullah”, e beson Isain si Pejgamber të Zotit e jo bir Zoti, beson xhenetin dhe xhehenemin hak, Ditën e Kiametit hak, ai do futet në xhenet. Ai njeri mund të ketë bërë shumë gjynahe, por tehvidi, fjala “La ilahe il-lAllah Muhamed resulullah” e bën ta meritojë dhe gëzojë xhenetin qoftë edhe pas një kohe. Në të kundërtën, sado që të punojë mirë, çfarëdo pune të mirë të bëjë, përderisa nuk e ka këtë tevhid, nuk ka në zemrën e tij fjalën “La ilahe il-lAllah”, i shkreti kurrë nuk do ta shijojë xhenetin, madje kurrë nuk do të dalë nga zjarri i xhehenemit.
Për tevhidin pyetet njeriu në varr Tevhidi apo fjala “La ilahe il-lAllah” është ajo për të cilën
[1] Buhariu, nr. 3435.
pyetet njeriu në varr. Pyetja e parë që i bëhet është: Kush është Zoti yt? Kë ke adhuruar ti për Zot? La ilahe il-lAllah! Çfarë të thotë, si të përgjigjet ai që nuk e ka besuar Allahun si duhet, si të përgjigjet ai që ka adhuruar Isain apo dikë tjetër? Si të përgjigjet ai që nuk ka besuar fare? Nuk po pyetet çfarë ke punuar, çfarë burri ke qenë, sa para ke pasur, sa famë ke pasur etj., por po pyetet cili është Zoti yt? Pra, për tevhid.
Të nderuar vëllezër e motra muslimane, falënderojeni shumë Allahun e Madhëruar që me këtë tevhid, me fjalën “La ilahe il-lAllah” ju ka nderuar. Luteni Allahun që të na e forcojë këtë tevhid, këtë besim, të jetojmë e të vdesim me të dhe ta takojmë Zotin tonë me të.
Allahume amin, velhamdulilahi rab-bilalemin!