- Islami, feja e vetme e pranuar
- Kjo fe ka ekzistuar gjithmonë
- Kurrë fe tjetër të vërtetë pos Islamit nuk ka pasur
Falënderojmë Allahun e Madhëruar, pastaj biem salavat dhe i çojmë selam Pejgamberit të bekuar, shokëve dhe pasuesve të tij të respektuar.
Islami, feja e vetme e pranuar
Vëllezër të nderuar!
Nuk ka dyshim se i madhi Allah e ka zgjedhur këtë fe për Veten e Tij, për Lartmadhërinë e Tij, prandaj thotë:
“Feja e pranueshme ( e vërtetë ) tek Allahu është vetëm Islami.” (Ali Imran:19)
Kjo do të thotë se i madhi Allah tjetër fe nuk pranon, edhe pse njerëzit kanë shumë fe, bile kanë fe të zbritura nga qielli e që më pas i kanë devijuar, por kanë edhe fe të tokës, që i kanë shpikur vetë njerëzit, e që quhen fe politeiste apo pagane. Ata kanë shumë fe, por nga të gjitha fetë vetëm një është e pranuar, vetëm me një fe Allahu është i kënaqur, e ajo fe është Islami. Ata që kërkojnë ndonjë fe tjetër me të cilën mundohen të afrohen tek Zoti xh.sh., ajo assesi nuk do u pranohet, tërë mundi dhe përkushtimi ndaj asaj feje do u shkojë kot dhe Ditën e Gjykimit do të jenë nga ata me të cilët Zoti është i hidhëruar, do t’i dënojë dhe do t’i fusë në zjarr. Allahu xh.sh. ka thënë:
“E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.” (Ali Imran: 85)
Nuk ka fe tjetër të pranuar tek Allahu. Ithtarët e feve të tjera do të jenë përgjithmonë në xhehenem, do të jenë të humbur e të dëshpëruar, Allahu na ruajt.
Historia nuk njeh që ka pasur ndonjë fe tjetër të pranuar nga Allahu pos Islamit. Këtë fe Allahu e ka zbritur që nga dita kur zbriti Ademin dhe Havën në Tokë, që kur i ngarkoi me misionin e lartë, i bëri mëkëmbës në këtë planet dhe ka vazhduar radhazi Pejgamber pas Pejgamberi deri tek Pejgamberi ynë dhe do vazhdojë deri në kiamet. Me këtë fe i ngarkoi Pejgamberët e Tij dhe i urdhëroi që t’ua përcjellin popujve të tyre. Sa për ilustrim, Allahu ka thënë për Nuhun se ai i tha popullit të tij:
“E nëse prapësoheni (nga mësimet e mia), unë nuk u kërkoj ndonjë shpërblim, se shpërblimi im është vetëm prej Allahut. Unë jam i urdhëruar të jem njëri prej muslimanëve.” (Junus: 72)
Unë jam musliman. Po, të nderuar, Nuhu alejhi selam ka qenë musliman, ka thirrur në Islam dhe feja e tij ka qenë Islami, prandaj shprehet se “unë jam urdhëruar të jem njëri prej muslimanëve”.
Allahu xh.sh. ka thënë për Ibrahimin e Jakubin alejhimaselam:
“E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe), e edhe Jakubi. (u thanë) “O bijtë e mi, Allahu ua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë!” (Bekare: 132)
Që të dy, Ibrahimi alejhi selam e më pas edhe nipi i tij Jakubi alejhi selam i kishin këshilluar bijtë e tyre që ta ruajnë fenë islame, të jetojnë si muslimanë dhe të vdesin vetëm si muslimanë.
“(Pasi iu plotësua dëshira, Jusufi tha) Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet, ma mësove mua komentimin e ëndrrave; o Krijues i qiejve e i tokës, Ti je kujdestar imi në dynja e në ahiret, më bëj të vdes musliman dhe më bashko me të mirë!” (Jusuf: 101)La ilahe il-lAllah! Jusufi alejhi selam pas gjithë atyre sprovave dhe peripecive, pas gjithë atyre të mirave e begative që ia dhuroi Allahu duke e bërë ministër dhe udhëheqës kryesor të Egjiptit, ngase pa urdhrin e tij nuk bëhej asgjë, ka një lutje, ka një dëshirë shumë të madhe e të rëndësishme, që i mposht të gjitha dëshirat e tij të mëhershme, ajo është që ai të vdesë musliman. Po, vëllezër të nderuar, nuk ka kuptim dynjaja nëse nuk jeton si musliman, nuk ka peshë pasuria, posti dhe çdo e mirë tjetër e kësaj dynjaje nëse njeriu nuk vdes si musliman. Jusufi alejhi selam këtë e kupton shumë mirë, prandaj po lutet që ta zërë vdekja duke qenë musliman. Ai që nga dita e parë ka qenë musliman, bile edhe babai i tij, gjyshi i tij dhe stërgjyshi Ibrahimi alejhimuselam, që të gjithë kanë qenë në fenë islame, kanë qenë muslimanë.
Ndërsa për Musain alejhi selam tha:
“Musai tha: “O populli im! Nëse besoni Allahut, mbështetuni tek Ai, nëse jeni musliman!” (Junus: 84)
Çështja është a jeni muslimanë apo jo? Nëse jeni muslimanë, mbështetuni Allahut në veprimet tuaja, në qëndrimet tuaja dhe gjatë tërë jetës. Pra, Musai alejhi selam nuk po u përmend pasuesve të tij tjetër fe pos asaj islame, çka jep të kuptohet qartazi se feja e Musait alejhi selam dhe e pasuesve të tij ishte Islami dhe jo ndonjë fe tjetër.
Allahu ka thënë për Belkisën:
“Ajo tha: “Zoti im, unë i kam bërë krim vetes e tash i dorëzohem (pranoj besimin), së bashku me Sulejmanin, Allahut, Zotit të gjithësisë.” (Neml: 44) Pasi mbretëresha Belkisë iu dorëzua Sulejmanit alejhi selam së bashku me tërë pushtetin dhe ushtrinë e saj, u fut në pallatin e Sulejmanit dhe tha: -O Zot, unë tani kuptova se ku paskam qenë, deri më tani isha në errësirë, edhe pse kam pasur fronin e mbretëreshës, por kam qenë pagane. E tani e kuptova hakun, kuptova se i paskam bërë zullum vetes gjatë gjithë asaj periudhe, prandaj tani po bëhem muslimane, ashtu siç është edhe Sulejmani alejhi selam.
Edhe Isai alejhi selam me shokët e tij kanë qenë muslimanë, feja e tyre ka qenë Islami dhe jo Krishterimi, siç pretendohet sot. Allahu xh.sh. ka thënë:
Havarijinët, që janë nxënësit dhe pasuesit e Isait alejhi selam, thanë shumë qartë se ne jemi muslimanë, e kemi besuar Zotin hak, kemi besuar Isain alejhi selam për Pejgamber të Zotit, ne jemi në fenë e Isait alejhi selam, jemi muslimanë.
Kështu me radhë tek të gjithë Pejgamberët dhe pasuesit e tyre deri tek Muhamed Mustafai alejhi selam, i cili pa dyshim ishte musliman. Allahu i Madhëruar e urdhëroi atë të thotë:
“Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!” (Enam: 162-163)
Jam muslimani i parë nga umeti im që thërras në këtë fe, në këtë legjislaturë, se muslimanë kanë qenë edhe Pejgamberët e tjerë dhe pasuesit e tyre.
Kurrë fe tjetër të vërtetë pos Islamit nuk ka pasur
Vëllezër të nderuar, kjo është tepër me rëndësi për t’u sqaruar, në veçanti në këtë kohë, kur janë shtuar zërat kundër Islamit, kinse është fe e re dhe se para saj ka pasur fe të tjera të vërteta, apo kinse Pejgamberët e mëhershëm, si Musai e Isai alejhimaselam, kanë pasur tjetër fe, që nuk është aspak e vërtetë.
Krenohuni me këtë fe, krenohuni me këtë Islam, dijeni se feja juaj është feja e parë dhe e fundit, është feja e vetme e pranuar, është feja e Zotit në qiell dhe në tokë, është feja të cilën e ka zbritur Zoti, të cilën e do Zoti dhe e pranon. Allahu na forcoftë në këtë fe, na bëftë krenarë dhe të fortë, punëtorë e të vyeshëm. Na bëftë të jetojmë si muslimanë, të vdesim si muslimanë dhe të ringjallemi si muslimanë. Allahume amin, velhamdulilahi rab-bilalemin!