- Kërkimi i lumturisë është parim njerëzor
- Ku gjendet lumturia?
- Shkaqet e lumturisë së vërtetë
- Efekti i të mirave të dynjasë në lumturi
Falënderojmë Allahun e Madhëruar që Islamin fe të Vetën për robërit e Tij e ka caktuar, me të shumë na ka nderuar, shpërblim të madh atyre që e praktikojnë këtë fe u ka premtuar, madje një jetë të lumtur ata kanë për të shijuar Zotin e tyre duke e adhuruar.
Pastaj biem salavat mbi Pejgamberin e bekuar, i cili më së shumti është lutur dhe më së gjati ka medituar që Zotin ta falënderojë dhe ne nga zjarri i xhehenemit të na shpëtojë.
Kërkimi i lumturisë është parim njerëzor
Vëllezër të nderuar!
Allahu i Madhëruar të gjithë njerëzit nga një baba i ka krijuar, pastaj i ka bërë që të dallojnë në shumë gjëra, në pamje, në gjuhë, në emocione, në dëshira, në pasuri, në shëndet etj., prandaj prej tyre gjen të bardhë e të zinj, të pasur e të varfër, të shëndetshëm e të sëmurë, bujarë e koprracë, të mirë dhe të këqij, të butë dhe të ashpër, trima dhe frikacakë e kështu me radhë. Gjithë këta njerëz, me gjithë këto dallime që të gjithë janë në ujdi kur është fjala për lumturinë sepse të gjithë kërkojnë lumturi, kërkojnë një jetë sa më të lumtur. Tregtari vrapon pas tregtisë së tij, politikani pas pozitës, studenti rri me net të tëra mbi libra, dikush rri tërë natën nëpër kafene e kazino, dikush ndërton shtëpi të madhe e të bukur, dikush martohet me një grua të bukur… të gjithë janë në kërkim të lumturisë. A thua vallë ku gjendet kjo lumturi?
Ku gjendet lumturia?
Kjo pyetje ia vlen të parashtrohet dhe t’i drejtohet njerëzimit: ku gjendet lumturia e kërkuar, e ëndërruar dhe e shpresuar? Ku ta gjejmë atë lumturi, cila është rruga që të shpie tek ajo?
Disa menduan se lumturia e vërtetë është në tubimin e pasurisë dhe të qenët të pasur, ndaj bënë çmos për të arritur pasurinë duke mos zgjedhur rrugët, a janë legjitime apo jo, a janë hallall apo haram, a është Zoti i kënaqur me të apo jo, me rëndësi është të pasurohet. Por a thua pasi ta arrijnë atë pasuri, pasi ta plotësojnë dëshirën e mbledhjes së pasurisë, a thua me të gjetën edhe lumturinë? Vallë a janë të pasurit të lumtur? Po të ishte ashtu, atëherë nuk do të shihnim të pasur me kriza psikike, bile nuk janë të paktë ata të pasur që nuk gjejnë mënyrë tjetër për t’u ikur problemeve shpirtërore e mendore vetëm se me vetëvrasje.
Kjo na çon në përfundimin se pasuria asnjëherë nuk është çelës i lumturisë, nuk është lumturia e vërtetë për të cilën ka nevojë njeriu. Jo rrallë njeriu ia sheh sherrin pasurisë, asaj për të cilën ka shpenzuar jetën e tij. Allahu xh.sh. në lidhje me këtë thotë:
“Prandaj, mos të mahnitë (mos e shih të mirë) pasuria e tyre e as fëmijët e tyre, Allahu do vetëm t’i dënojë me to në jetën e kësaj bote e t’ua nxjerrë shpirtrat duke qenë ashtu qafirë.” (Tevbe: 55)
Me dënim në këtë ajet është për qëllim se do ua vështirësojmë jetën, do kenë probleme, strese, depresion e ngarkesa të shumta.
Sa e sa njerëz bëhen pishmanë që kanë bërë pasuri dhe shpresojnë të kishin qenë të varfër! Sa e sa njerëzve pasuria ua ka nxirë jetën? Ata janë të shumtë dhe njëmend për dikë pasuria e fëmijët jo që nuk janë lumturi, por janë dënim në këtë botë dhe në tjetrën.
Disa të tjerë menduan se lumturia e vërtetë është te fëmijët, ndaj nuk lënë mjek dhe spital pa shkuar vetëm e vetëm që të bëhen me fëmijë, duke qenë të bindur se lumturia e vërtetë është vetëm pasja fëmijë. Por nëse shikojmë realitetin, sa e sa prindërve ua hanë shpirtin fëmijët, sa prindër derdhin lot tërë natën për fëmijën e vet, sa e sa prindër thonë: -O Zot, mos ta kisha pasur fare!
Dikujt i vjen turp që është prindi i filan djali, bile ka prindër që luten për vdekjen e fëmijëve të tyre! Shumë fëmijë ua nxijnë jetën prindërve në këtë dynja dhe me siguri ka shumë të tillë që do ua nxinë jetën edhe në ahiret. La ilahe il-lAllah!
Disa të tjerë menduan se lumturia e vërtetë është në dije apo në shkallë akademike, ndaj kaluan vite e dekada duke marrë dije, duke menduar se një ditë vërtet do ta gjejnë lumturinë e vërtetë apo do të jetojnë jetë të lumtur, por nuk ndodh ashtu.
Disa të tjerë menduan se lumturia e vërtetë është në pozita të larta, apo poste politike, prandaj nuk lënë rrugë pa ndjekur, qoftë edhe duke bërë dallavere, madje nuk janë të rrallë ata që e shesin dinin, vatanin dhe nderin e tyre vetëm e vetëm për të arritur një post apo pozitë, duke qenë të bindur se me të do të arrijnë edhe lumturinë e vërtetë, por nuk ndodh ashtu, nuk e gjejnë lumturinë e kërkuar.
Shkaqet e lumturisë së vërtetë
Të nderuar, të gjithë këta njerëz dhe të tjerë të ngjashëm me ta e kërkuan lumturinë e ëndërruar, por nuk e gjetën. Atëherë vallë ku është ajo lumturi?
Nuk janë të rrallë ata njerëz që vijnë tek unë dhe ankohen për problemet, shqetësimet dhe brengat e tyre, për një jetë të vështirë dhe jo të rehatshme. Kur filloj të bisedoj me ta kuptoj se ata i kanë pasur thuajse të gjitha të mirat e dynjasë; pasuri, famë, shoqëri të shumtë, familje të gjerë, por lumturi jo. U them atyre dhe të tjerëve që kërkojnë lumturinë e vërtetë se nëse njeriu do ta kënaqë veshin, çfarë bën? Dikush përgjigjet se dëgjon një këngë të mirë, që i pëlqen. E nëse dikush kërkon ta kënaqë syrin e tij, çfarë bën? Shikon ndonjë peizazh të bukur. Po nëse do ta kënaqë hundën e tij, çfarë bën? Merr aromë të mirë apo i afrohet ndonjë luleje me aromë të mirë.
I pyesim personat që kërkojnë lumturinë e vërtetë, se nëse duan të kënaqin syrin pse nuk dëgjojnë ndonjë këngë? E nëse duan ta kënaqin veshin, pse nuk shikojnë ndonjë pamje të mirë? Përgjigjja e tyre me siguri do të jetë se nuk ka mundësi një gjë e tillë sepse secila ka specifikat e veta, ka veçoritë e veta. Veshin e kënaq zëri i mirë dhe jo pamja e mirë, ndërsa syrin e kënaq pamja e mirë dhe jo zëri i mirë. Shumë mirë, ashtu është, por ai që është i shqetësuar dhe ndien ngarkesë e depresion, ai nuk ka problem as me veshin e as me syrin, ai nuk i ndien ato dhembje e shqetësime në ato shqisa, por i ndien në zemër. E meqë është kështu, atëherë të nderuar duhet të kërkojmë ilaçin që qetëson zemrën, që e bën atë të qetë dhe stabile, e bën atë të lumtur. Ai ilaç nuk gjendet te alkooli e droga, muzika dhe pamjet e mira, nuk gjendet te shfrenimi dhe degjenerimi apo çoroditja, por është në fjalën “La ilahe il-lAllah”, është në shehadet, është në Islam. Lumturia është në lidhjen e zemrës me pronarin e saj, me fjalën e Tij, me dinin e Tij. Ilaçi është që t’i dhurohet dhe t’i falet zemra Allahut xh.sh., Atij t’i ankohet, Atë ta lusë, Atij t’i mbështetet, Atë ta njohë dhe dojë më shumë se këdo tjetër.
Të nderuar, lumturia nuk na qenka në pasuri e në fëmijë, në grua të mirë e në pozitë të lartë. Lumturia na qenka diçka kuptimore, të cilën nuk e sheh syri, nuk e dëgjon veshi, nuk e ndien hunda. Ajo lumturi nuk blihet me para, nuk dhurohet e as nuk merret me zor. Ajo qëndron brenda gjoksit të besimtarit të vërtetë, ajo ka vendin në thellësinë e zemrës.
Po, vëllezër muslimanë, lumturia e vërtetë është besimi i shëndoshë, është puna e mirë, pasimi i Sunetit të Pejgamberit alejhi selam, siç ka thënë Allahu xh.sh.:
“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (Nahl: 97)
Muslimanit të vërtetë do t’i japim një jetë të mirë, të qetë e stabile, do t’i japim kënaqësi e prehje shpirtërore që nuk ka çmim që e paguan. Kjo do të thotë se lumturia e vërtetë është të kthehesh tek Allahu me zemër të thyer, me shpirt dhe me tërë qenien tënde. Lumturi e vërtetë është t’i mbështetesh Allahut në çdo situatë, ta kujtosh dhe përkujtosh Atë, siç ka thënë Allahu:
“Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen.” (Rread: 28)
La ilahe il-lAllah. Nuk ka diçka që e qetëson zemrat më shumë se përkujtimi i Allahut, se namazi, sexhdeja, përulja, Kur’ani e tesbihu.
Ai që është i lidhur me Allahun, ai kurrë nuk ka për të kaluar në depresion, kurrë nuk ka nevojë të marrë terapi qetësuese për hallet dhe dertet që e kaplojnë gjatë jetës së tij, ai ilaçin e ka tek Allahu, ai jeton me Allahun dhe për Allahun, lumturia kurrë nuk i ndahet derisa ta takojë Allahun në Ditën e Gjykimit e të futet në xhenet. Ibnu Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka qenë shumë herë i përndjekur nga pushteti i atëhershëm. Ai ka thënë: “Nuk e kam dert se çfarë bëjnë me mua, nëse më fusin në burg, shfrytëzoj rastin në vetmi dhe kënaqem duke kujtuar Allahun. Nëse më ekzekutojnë, shkoj shehid inshaAllah. E nëse më dëbojnë, dal shëtis, meditoj.”
Muslimani duhet të jetë i qetë dhe stabil, i lumtur e krenar, pavarësisht asaj që e godet gjatë jetës së tij.
Efekti i të mirave të dynjasë në lumturi
Nuk ka dyshim se pasuria, fëmijët, familja, shoqëria janë të mira të cilat nuk ka nevojë t’i refuzojmë, as kërkohet nga ne si muslimanë që t’u ikim atyre, përkundrazi, ato Allahu për ne i ka krijuar dhe na i ka lejuar. Ajo që duhet ta dimë e të jemi të bindur është se ato nuk janë gjithçka, por janë diçka, ato mund të jenë shkak për lumturi apo të ndihmojnë e të afrojnë tek lumturia, por nuk janë vetë lumturia.
Të nderuar, falënderojeni Allahun e Madhëruar që me këtë Islam zemrat tona na i ka ndriçuar, kënaquni me këtë Islam, punoni për të, jetoni me të. Allahu na bëftë të atillë, Allahu e drejtoftë këtë popull, i cili e ka lëshuar rrugën e shëndosh, e në veçanti këtë rini!
Allahume amin, velhamdulilahi rab-bilalemin!